SKANDALI/ Si u hakeruan sekretet e SPAK?
Si u hakeruan sekretet e SPAK? Dosjet për Ahmetajn, Veliajn e Çopjan ranë në duart e grupit kriminal
Një hetim i SPAK ka zbardhur prapaskenat e një prej ngjarjeve më të rënda të sigurisë kibernetike në vend: vjedhjen e materialeve hetimore nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm.
Sipas dosjes hetimore, hakeri Arnold Rrokaj ka arritur të depërtojë në sistemet e SPAK, duke përfituar shkresa sekrete që lidhen me emra të profilit të lartë si ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, kryebashkiaku Erion Veliaj, Damian Gjiknuri, Klodjan Allajbeu dhe deri te kontrollet në banesën e Franc Çopjas.
Dokumentet që “rrodhën”: Nga kallëpet e floririt te Sky ECC
Në duart e personave të paautorizuar kanë përfunduar:
- Fotografi të kallëpeve të floririt.
- Letër-porosi drejt Austrisë.
- Linqe me biseda të përftuara nga aplikacioni i enkriptuar Sky ECC.
- Detaje mbi kontrolle banesash të personazheve të botës së krimit.
Si u zbulua ndërhyrja?
Gjithçka doli në dritë më 12 mars 2025. Sipas dëshmisë së të akuzuarit Zambak Gjoni, dokumentet i ishin përcjellë një gazetari, i cili sapo ka parë peshën e materialeve, ka informuar menjëherë kreun e SPAK, Altin Dumani. Ky veprim ka sjellë bllokimin e mëtejshëm të aksesit dhe nisjen e hetimeve emergjente.
Grupi i strukturuar: Roli i Agim Ismailit dhe biseda për Ulsi Manjan
SPAK ka vënë nën akuzë si grup të strukturuar kriminal shtetasit Agim Ismailaj, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni. Ndonëse Gjoni pretendon se i ka shpërndarë informacionet thjesht me miq për të diskutuar aktualitetin, prokuroria ka dyshime për një koordinim të mirëfilltë.
Një detaj tronditës në dosje është interesi i ish-drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, për të dhëna rreth ministrit Ulsi Manja. Në bisedat e zbardhura, kur kërkohen informacione për Manjan, Ismaili përgjigjet: “Do ishte e hatashme”.
Akuza
Tashmë të tre personat po përballen me drejtësinë për “Hyrje të paautorizuar në sisteme kompjuterike” kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke vënë në rrezik hetime kyçe të drejtësisë shqiptare.
…