DOSJA “NDOJA”/ Përplasje dhe dëshmi në GJKKO…
DOSJA “NDOJA”/ Përplasje dhe dëshmi në GJKKO: Ramazan Rraja mohon akuzat, Plarent Dervishaj kërkon avokat të ri
Seanca e radhës në GJKKO për atentatin e bujshëm të 1 nëntorit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos (Rrumi) dhe shoferit Andi Maloku, është shoqëruar me tensione, debate dhe refuzim dëshmish.
Përpara trupit gjykues u paraqitën dëshmitë e të akuzuarve si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, por seanca u ndërpre dhe u shty pasi Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe kërkuan ndryshimin e mbrojtjes ligjore.
Ramazan Rraja: “Nuk kam aplikacione të enkriptuara, në burg më keni futur ju”
Një nga dëshmitë më të gjata ishte ajo e Ramazan Rrajës, i cili mohoi çdo lidhje me atentatin dhe personazhet e përfshirë si viktima.
- Lidhja me viktimat: Rraja deklaroi se nuk i njeh Arjan Ndojan, Aleksandër Lahon apo shoferin e ndjerë Andi Maloku, duke u shprehur se i ka parë vetëm në televizor.
- Alibia: Ai pretendoi se në momentin e ngjarjes (1 nëntor 2019) ka qenë jashtë Shqipërisë.
- Përplasja për Genci Malokun: I pyetur për një konflikt të mundshëm me familjen e Genci Malokut, Rraja u përgjigj: “Kam parë në TV që ata kanë dashur të vrasin familjarët e mi, por ka dashtë Zoti që ne e bëjmë gjumin rehat”.
Makina e vjedhur dhe debati për dëshmitarin Erigen Toska
Në sallë dëshmoi edhe Erigen Toska, pronari i një mjeti “Mercedes Benz” të vjedhur në shtator 2019, i cili dyshohet se është përdorur në ngjarje.
“E kam parkuar poshtë banesës dhe të nesërmen nuk e gjeta më,” u shpreh ai.
Kjo dëshmi u pasua me ironi nga Plarent Dervishaj, i cili pyeti se pse ky dëshmitar nuk ishte thirrur në proceset e mëparshme ndaj Redian Rrajës dhe Ariol Halilajt, duke e konsideruar një “harresë” të qëllimshme të akuzës.
Dervishaj dhe Meçe refuzojnë prokurorët
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe shfaqën rezistencë ndaj pyetjeve të SPAK:
- Julian Meçe: Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të akuzës duke thënë: “Më duket si mosdëshirë për të zbuluar të vërtetën. Nuk jap pëlqimin”.
- Plarent Dervishaj: Kërkoi shtyrjen e seancës me arsyetimin se i duhet pasaporta dhe karta e identitetit për të zgjedhur një avokat të ri, pasi mbrojtësi aktual u dorëhoq pas pretendimeve për paragjykim të procesit.
Ndërkohë, të bashkëpandehurit Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani shkurtimisht deklaruan: “Nuk dua të jap dëshmi”.
…